ZRrE ia fal 3.5 milionë euro KEDS-it

Anëtarët e Bordit të ZRrE-së që janë zgjedhur në mënyrë kundërthënëse vendosin për tarifat e energjisë elektrike që do t’i paguajnë qytetarët.

Ata do të vendosin edhe për buxhetin e të gjitha ndërmarrjeve energjetike.

Vendimet e tyre kanë peshë milionëshe. Një i tillë është marrë në mbledhjen që është mbajtur të enjten.

Bordi i Rregullatorit të Energjisë njëzëri ka vendosur që t’ia fal KEDS-it 3.5 milionë euro të konsumatorëve.

Ky vendim ishte në kundërshtim me rekomandimin e ekspertëve të Rregullatorit. Ata kanë rekomanduar se KEDS-i duhet t’ia kthej konsumatorëve 3.5 milionë euro gjatë vitit 2019.

Ushtruesi i Detyrës së kryesuesit të Bordit, Arsim Janova i hodhi në votim të Hyrat Maksimale të Lejuara për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n për periudhën 1 prill 2019 deri më 31 mars 2020.

 

Këto të hyra u hodhën në votim me propozimin që në këtë shqyrtim të mos trajtohen jo balancet në aspektin financiar as për KOSTT-in e as për KEDS-in.

“Sepse konsideroj që të dyja janë në të njëjtin rrafsh për vitet 2017 dhe 2018 dhe kjo në një mënyrë të konsiderohet si një fazë tranzitore që neve të na jepni kohë që gjatë këtij viti të rishikohet legjislacioni sekondar që rregullon mekanizmat balancues”, theksoi Janova.

KEDS-i kishte kërkuar që të hyrat e jo-balancës për vitin 2017 dhe vitin 2018, duhet t’i mbesin operatorit sepse ZRrE nuk ka bazë ligjore për zbritjen e tyre nga të hyrat maksimale të lejuara.

Por Ymer Fejzullahu, drejtor i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRrE gjatë prezantimit theksoi se të hyrat prej 3.5 milionë euro duhet t’i kthehen konsumatorëve.

Fejzullahu ka sqaruar gjatë prezantimit se të gjitha kostot e arsyeshme të KEDS-it janë lejuar përmes të hyrave të lejuara maksimale dhe çdo e hyrë tjetër jashtë kësaj kornize është e hyrë jo tarifore dhe do t’i kthehet konsumatorëve në vitin vijues.

“Trajtimi i jo balanceve sipas vlerësimit tonë, e kemi vlerësuar që këto të hyra duhet të zbriten dhe t’u kthehen konsumatorëve gjatë këtij procesi tarifor”, theksoi Fejzullahu gjatë prezantimit.

Anëtari Bordit të ZRrE-së, Izet Rushiti propozoi që jo balancet të rregullohen me një rregullore gjatë këtij viti.

“Dhe nga kjo, duke e ditur që nuk ka një rregullore fiks dhe propozoj që kjo të bëhet gjatë këtij viti, që trajtimi i balancave të jetë në një rregullore, të jetë në rregulloren e çmimeve dhe duke marrë parasysh edhe shumë faktorë të tjerë edhe unë mendoj se trajtimi i jo balanceve të mos hiqen nga MAR-i”, tha Rushiti.

Bordi i ZRrE-së aktualisht ka katër anëtarë. Arsim Janova dhe Besim Sejfijaj kanë qenë të angazhuar nga LDK dhe janë zgjedhur gjatë kohës kur me qeverinë ka udhëhequr Isa Mustafa. Izet Rushiti e Selman Hoti nuk i kanë plotësuar kushtet për emërim, sipas vlerësimit të bërë nga kompania britanike, BDO.

 

30 Mars 2019 - 17:28

Dorentina Kastrati 30/03/2019 - 17:28
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend