Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Zotohet Thaçi: Pa shkelur mbi trupin tim ndarja e Kosovës nuk ndodh

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po merr pjesë në Samitin e Diasporës së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe liderë tjerë shqiptarë.

Thaçi në fjalimin e tij tha se Kosova ka fituar 116 njohje ndërkombëtare, mirëpo se procesi nuk ka ecur ashtu siç duhet, pasi që sipas tij gjatë rrugës Kosova ka pasur edhe kundërshtarë.

“Kosova ka fituar 116 njohje ndërkombëtare dhe është anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare. Të gjithë kemi pritur se do të lëvizinim më shpejtë dhe më mirë. Por të gjithë e dimë se Kosova ka edhe kundërshtarë të pavarësisë të cilët i ngadalësojnë këto procese”, tha ai.

Thaçi tutje tha se Kosova po hyn në dialogun me Serbinë për një marrëveshje finale e cila në çdo formë duhet të sigurojë njohje reciproke.

“Edhe për themelimin e ushtrisë jemi të bekuar që e kemi mbështetjen e SHBA-ve dhe mirënjohje e falënderimin më të madh për kontributin e tyre. Tash jemi në një moment të ri të volitshëm kur Kosova me mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe BE-së po angazhohet që të hyjë në dialogun përfundimtar me Serbinë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Synimi është që të arrihet një marrëveshje që garanton njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare” , tha ai.

Presidenti aty foli edhe për shkëmbimin e territoreve, për të cilin opsion tha se asnjëherë nuk do të lejohet që të ndodhë.

Madje  tha se askush nuk mund ta cenojë asnjë kilometër të territorit pa kaluar mbi trupin e tij.

“Ne të gjithë e dimë se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë, mirëpo kemi ditur që të jemi shumë të urtë dhe të kujdesshëm në arritjen e marrëveshjeve. Sot natyrisht se ka ide të ndryshme, mirëpo nuk do të lejojmë organizimin e konference ndërkombëtare ku participon edhe Rusia. Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të lejojmë as të qarkullojë më tutje si ide, sepse kjo duhet që në start të ndërpritet. Ideja e një unioni ballkanik është rikthim prapa për kombin  tonë”, tha tutje ai.

“ E kemi dëgjuar shkëmbimin e territoreve, kurrë nuk do të ndodhë. Për shkëmbim territoresh kanë folur edhe më herët. Pa shkelur mbi trupin tim nuk do ta cenojë asnjë kilometër të territorit të Kosovës, as Trepçën as Ujmanin dhe asnjë pjesë. Për ndarje të Kosovës ata që flasin sot janë ata që kanë ndihmuar Millosheviqin. Ndërkaq korrigjimi i kufijve po, sepse nuk ka askush që e mohon aspiratën time për bashkëngjitjen e Luginës pa u cenuar territori i Kosovës”, tha Thaçi./Rtklive