Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Zotimi i Haradinajt pas letrës amerikane: Nuk e heqim taksën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas një takimi siç e quajti ai joformal me drejtues të partive të koalicionit dhe me ministra të kabinetit të tij se vazhdon me insistimin që taksa 100 % ndaj mallrave serbe e boshnjake nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Haradinaj kërkoi mirëkuptimin e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij vendimi.

Kryeministri foli edhe për letrën e dërguar nga zyrtarë të lartë të Qeverisë amerikane, të cilët kanë bërë thirrje për pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

Ai tha se për këtë ka biseduar me ambasadorin Kosnett, të cilit tha se i ka shpjeguar se Kosova e do Amerikën, por nuk do t’i nënshtrohet Serbisë dhe Rusisë.

“Nuk mundemi t’i nënshtrohemi Serbisë që ajo të bëjë hajgare me ne. Serbia po na sulmon, po na pengon, e po lobon për heqjen e njohjes së Kosovës”, theksoi Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj e potencoi se taksa ndaj Serbisë e Bosnjës nuk është “nga qejfi por nga zori”.

Ai shtoi se është koha e fundit që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme.

Ai shtoi se është koha e fundit që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme.

“Dëshira ime është që taksa të mos hiqet deri në njohje. Jam për një marrëveshje pa shkëmbime territoresh apo lëvizje të territorit, por nuk e heqim taksën deri në njohje”, theksoi Ramush Haradinaj.

Kryeministri u deklarua kështu pas përfundimit të një takimi joformal me drejtues të partive të koalicionit qeveritar, në të cilin ishin të pranishëm edhe shumë ministra, përfshirë edhe presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Sot gjatë ditës është publikuar një letër e dërguar nga zyrtarë të lartë të Qeverisë amerikane, në të cilën kërkohej sërish pezullimi nga Kosova i taksës së vendosur nga qeveria kosovare ndaj mallrave serbe e boshnjake.

https://kallxo.com/paralajmerimi-i-shba-se-nese-nuk-e-pezulloni-taksen-nuk-mund-te-kemi-raportet-qe-kishim-me-pare/

Letra thoshte se nëse nuk dëgjohet kërkesa e administratës amerikane atëherë raportet ShBA-Kosovë nuk do të jenë siç ishin më parë.