Zotimet e Drejtorit të ri të Shëndetësisë në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, më 11 dhjetor ka emëruar Drejtorin e ri të Shëndetësisë në Prishtinë.

Bujar Gashi ka ardhur në pozitën e drejtorit të shëndetësisë në kryeqytet pas shkarkimit të Arben Vitisë nga ky post.

Gashi në një deklaratë për KALLXO.com ka treguar disa nga planet e tij të punës, të cilat pritet të realizohen gjatë vitit 2019.

Ai ka deklaruar se do ta vazhdojë punën e mirë që është bërë deri më tash dhe se do të mundohet të mbulojë hapësirat që kanë nevojë për përmirësim.

“Unë do ta vazhdoj punën e mirë që është bërë deri më tash në sektorin e shëndetësisë në Komunë, do t’I shohim mundësitë tona buxhetore dhe do t’i mbulojmë vendet ku ka nevojë të bëhet dicka”, ka deklaruar Gashi.

Po ashtu Gashi ka dhënë disa nga zotimet, që pritet të realizohen gjatë vitit të ardhëm, ndërsa tha se është herët të flitet për fundin e mandatit.

“Fillimisht do të punohet në përmirësimin e qasjes ndaj qytetarëve përkatësisht ndaj kërkuesve të shërbimeve shëndetësore, do të bëhet konsolidimi  i rrjetit ekzistues të institucioneve shëndetësore dhe riorganizimi i tij për të plotësuar kërkesat e qytetarëve. Do të krijohen institucione të reja shëndetësore, në plan gjatë vitit 2019 është themelimi i një Qendre të Mjekësisë Familjare në Veternik, pasi është e nevojshme duke e parë trendin e zgjerimit të qytetit”, është zotuar Gashi.

Drejtori i ri është zotuar se do të bëjë rritjen e ekipeve në shërbim kronik sepse deri më tash punojnë vetëm më një ndërrim.

“Do të shohim kapacitetet buxhetore për të rritur numrin e ekipeve në shërbimin kronik, pasi që deri tani funksionojnë vetëm me një ndërrim dhe do të krijojmë  edhe një pike shtesë për stacionimin e një ekipe të Qendrës së Mjekësisë Urgjente, në mënyrë  që të kemi një shpërndarje racionale të ekipeve vepruese të kësaj Qendre, me të vetmin qëllim, arritjen edhe më të shpejt në vendin e ngjarjes, e cila do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejt në shpëtimin e shumë jetëve të qytetarëve, besojmë që kjo qendër do të jetë diku në Qendër të Prishtinës, sigurisht nëse do të arrijmë të gjejmë një hapësirë”, është deklaruar Gashi.