Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Zoran Vukotiq Deklarohet i Pafajshëm për Vrasjen e 4 Shqiptarëve

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të EULEX- it, Paul Flynn, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Avokati i tij mbrojtës, Miro Deleviq, ka kërkuar nga trupi gjykues në krye me Darius Sielicki që të mbrojturin e tij ta transferojnë në burgun në veri të Mitrovicës.

Aktualisht, i akuzuari Vukotiq gjendet në burgun e sigurisë së lartë në Dyz.

Kërkesa e tij erdhi si rrjedhojë e nevojës për konsultime më të shpeshta me të mbrojturin e tij, ku për shkak të largësisë një gjë e tillë nuk po mund të realizohet.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit për krime lufte kundër popullatës civile më 16 maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Goroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrahnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalur jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrahnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

KALLXO.com kishte raportuar për masën e paraburgimit të vendosur ndaj Vukotiqit.

Zoran Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-zoran-vukotiqit-per-krime-lufte/

Aktualisht, Vukotiq përballet edhe proces tjetër gjyqësor të së njëjtës natyrë për krime lufte ndaj popullatës civile në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Ai edhe në rastin tjetër u deklarua i pafajshëm.

http://kallxo.com/nis-gjykimi-per-krime-lufte-ndaj-zoran-vukotiqit/