Zjarri në Gjykatën e Pejës, flet kryetari Kreshnik Radoniqi

Një zjarr ka shpërthyer mbrëmë rreth orës 23 në Gjykatën e Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës Kreshnik Radoniqi.

Ai ka thënë se dyshimet e para janë se zjarri ka shpërthyer nga disa kabllo të rrymës.

“Po lajmi është i vërtetë. Kabllot e rrymës jon nxe dhe kanë nis me u kall, derisa e kanë ndal rrymën. Zjarrfikësit e kanë ndal zjarrin, deri sa e kanë gjete vendin, se zyret kanë qenë të mbyllura deri sa e keni gjet ku osht zjarri”, ka thënë Radoniqi.

“Nja katër tavolina, kompjuterë, printerë e fotokopje janë djeg. Janë djeg edhe disa lëndë të fshirjeve nga dënimet por këto janë lëndë që i ka edhe Prokuroria. Dëmi në lëndë është totalisht zero. Fatmirësia nga kjo fatkeqësi është se nuk ka dëme në lëndë”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetar i Gjykatës.

Xhevat Ibraj, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës tha se për shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri nuk mund të flasë pasi për këtë do të flasin ekspertët, mirëpo ai tha se intervenimi i Policisë dhe i zjarrfikësve ka qenë i menjëhershëm.

“Kjo ka ndodh rreth orës 23 e 8 minuta, policia e ka pranu informacionin se te Gjykata është parë një tym dhe policia ka intervenu menjëherë. Njësiti i zjarrfikësve ka intervenu menjëherë. Ne për dëmin nuk mund të flasim dhe nuk mund ta dijmë, duhet të flisni me zëdhënësen apo kryetarin. Poashtu as për shkakun e zjarrit nuk mund të flasim pasi që për këtë është eksperti i cështjes. Krejt çka mund të them është se intervenimi i policisë pas pranimit të informacionit ka qenë i menjëhershëm”, tha Ibraj.

KALLXO.com publikoi disa fotografi nga zyreja e cila ishte përfshirë nga zjarri.

https://kallxo.com/zjarr-brenda-gjykates-se-pejes-pamje/

.