Zjarrfikës - Foto: REL

Zjarrfikësit e Kosovës do të protestojnë

Sindikata e Zjarrfiksëve e ka konfirmuar mbajtjen e protestës, të paralajmëruar për datën 15 nëntor.

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka marrë vendim që të dalë në protesta për shkak të mos realizimit të kërkesave të tyre.

Kryetari i kësaj sindikate Muharrem Beka, për KALLXO.com tha se kjo protestë është e pashmangshme, edhe pse ditë më parë kryeministri Haradinaj premtoi mbështetje ku tha se shumë funksione që i ka pasur FSK-ja, do t’i kalojnë zjarrfikësve.

‘’Kërkesat tona mbesin ato të njëjtat si të 12 korrikut, pa asnjë ndryshim. Kërkesat tona kryesore janë që të rregullohet statusi juridik; të sigurohet vijë buxhetore; të bëhet nivelizimi i rrezikshmërisë në punë në nivel me Policinë e Kosovës; të kompenzohen ndrrimet e natës festat shtetërore dhe orët jashtë orarit; dhe të kompenzohen shërbimet mjekësore të lëndimeve në punë’’, deklaroi Beka.

Ai gjithashtu tregoi për takimin me ministrin e Financave Bedri Hamza.

‘’Dje ishim në takim me ministrin Hamza, ku përsëri kërkesat tona nuk u realizuan. Përveç ngritjes së koeficientit në 6 dhe kjo do të jetë vetëm për vitin 2019. Edhe ky premtim nuk jam i sigurt se do të realizohet, sepse as vet nuk e di se si do të bëhet. Ministri këmbënguli se nuk ka buxhet për realizimin e kërkesave tjera. Nëse nuk ka reflektim prej Qeverisë dhe institucioneve zgjidhja e vetme që na mbetet është të hyjmë në greva’’, ka përfunduar kryetari Beka.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve të emergjencave dhe bashkëthemeluesi i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë Tahir Ahmeti për KALLXO.com ka thënë se zjarrfikësit janë kategoria më e nënvlerësuar e punëtorëve në Kosovë.

‘’Mosgadishmëria e institucioneve për zgjidhjen e kërkesave të tyre, ka bërë që zjarrfikësit të jenë të detyruar në një formë që të protestojnë në rrugë, si mjet i fundit, jo i dëshiruar por ndoshta i domosdoshëm për realizimin e kërkesave të tyre legjitime. Me mungesë të mjeteve dhe pajisjeve adekuate për punë, pa status juridik të zgjidhur, me pagat që kanë dhe pa benificionet që ju takojnë me ligj, zjarrfikësit janë kategoria më e nënvlerësuar e të punësuarve në Kosovë’’, ka deklaruar Ahmeti. Ai tha se e përkrah portestën dhe kërkesat e zjarrfiksëve edhe pse fizikisht nuk do të marrë pjesë në protestë. ‘Unë gjithmonë i kam përkrahur kërkesat e kësaj kategorie edhe pse nesër fizikisht nuk mund të jem i pranishëm për shkak të disa obligimeve që i kam. Frustimi i tyre me të drejtë ka arritur në kulminacion andaj edhe ‘kërcënimi’ i tyre për të hyrë në grevë është i drejtë’, ka përfunduar Ahmeti.

Protesta është paralajmëruar nesër më 15 nëntor nga ora 11:00 dhe do të marrin pjesë brigadat e zjarrfiksëve nga gjitha komunat e Kosovës.