Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimi i Haskukës: Do t’i renovojmë të gjitha QMF-të në Prizren

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka në Debat Pernime është zotuar se brenda mandatit të tij do të renovohen të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare si dhe ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Shëndetësia është njëra nga sferat ku i kemi arritur të gjitha premtimet tona e po ashtu i kemi tejkaluar. Tash e kemi ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, renovimin e të gjitha QMF, check up falas për të zbuluar kancerin, shërbime shëndetësore për fëmijët me nevoja të veçanta, ndarja e shërbimit të urgjencës nga QMF dhe një qendër për mbrojtjen e fëmijëve nga aspekti psikologjik”, ka premtuar Haskuka.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Prizrenit, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prizren: Mytaher Haskuka nga Lëvizja vetëvendosje (LVV) dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor në Prizren, kandidati i LVV-së Mytaher Haskuka ka marrë 40,41% të votave, kurse Shaqir Totaj nga PDK-ja ka siguruar 31,36 %.