Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimi i Elezajt të AAK-së: Do të tejkalojmë 30-përqindëshin për gratë në udhëheqje të drejtorive

Kandidati nga radhët e AAK-së për kryetar të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në emisionin “Debat Përnime” është zotuar se mbi 30 për qind e drejtorive në këtë Komunë do të udhëhiqen nga gratë.

Ai tha se këtë kërkesë do ta shfaqë kur të diskutojë me partnerët e mundshëm të koalicionit pas balotazhit të 14 nëntorit.

“Takimet e para që i kemi pasur me partnerët e mundshëm të koalicionit për katër vitet e ardhshme, nuk kemi diskutuar për emra fare, por unë do të kërkoj nga ta që në momentin që të diskutojmë për emra do t’u them që duhet me qenë një numër i caktuar gra. Realisht kam premtuar mbi 30 për qind, por do ta tejkalojmë numrin. Unë besoj 4-5 drejtori, 3 drejtori gjithsesi do t’i kenë”, tha Elezaj.

Sonte në “Debat Përnime” do të diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në komunën e Klinës.

Në debat pjesëmarrës është vetëm kandidati Zenun Elezaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Esat Raci, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por i njëjti edhe pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen është tërhequr nga debati me arsyetimin se ka punë të tjera dhe nuk e di nëse mund të marrë pjesë.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për raundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, Zenun Elezaj ka marrë 43,33 për qind të votave, kurse kandidati Esat Raci nga PDK, ka siguruar 27,42 për qind.