Debat Pernime për shëndetësi dhe barazi sociale. Foto: Atdhe Mulla

A do të Zvogëlohet Numri i Ministrave e Zv. Ministrave pas Zgjedhjeve?

Në #DebatPernime të gjithë përfaqësuesit e koalicioneve e partive politike premtuan se me ardhjen e tyre në pushtet do të ulin numrin e zëvendës ministrave, e madje edhe të ministrave.

Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Talat Gjinolli premtoi se në Ministrinë e Shëndetësisë nuk do të ketë më dy zv. Ministra, por pas ardhjes së tyre në pushtet kjo ministri do të ketë vetëm një zëvendës. Ndërsa shtoi se për ministritë tjera këtë nuk mund ta premtoj.

E Numan Balic premtoi se do të ketë një zëvendës të ministrit, e edhe një këshilltar për të. Ndërsa për ministra tha se duhet të jenë 5 këshilltar.

Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes premtoi që do ta ulin edhe numrin e ministrive. Ai tha se me ta në pushtet qeveria do të ketë vetëm 12 ministri, e për secilën vetëm nga një zëvendës ministër.

Ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa nuk tha se për sa ministri do të ulet numri i tyre, por tha se do të ketë më pak ministri, e premtoi nga një zëvendës për secilën.

PDK po mungon edhe në debatin e shtatë Pernime që po transmetohet në TV21.

Partia e Kadri Veselit po refuzon të dërgojë përfaqësues nëpër debate me subjektet tjera politike pasi po kërkon hapësirë më të madhe në debat për koalicionin në ë cilin merr pjesë në zgjedhje (PDK-AAK-NISMA) në krahasim me subjektet tjera pjesëmarrëse, LDK-AKR dhe Vetëvendosje.

Sonte në #DebatPernime, subjektet pjesëmarrëse do të debatojnë për shëndetësinë dhe barazinë sociale.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: