Debat Pernime, Agim Aliu e Muharrem Svarqa, Ferizaj.

Svarqa e Aliu Flasin për 'Eminencat Gri' të Ferizajt

Kandidatët për të marrë drejtimin e Komunës së Ferizajt adresuan çështjen e personave të përfolur si “eminencë gri” në këtë komunë për të cilët flitet se janë pjesëmarrës të fuqishëm në vendimarrje të kësaj komune.

Agim Aliu, Kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për Komunën e Ferizajt, ka folur lidhur me atë se a do të ndikohen nga njerëz të fuqishëm në Ferizaj në rast se merr mandatin si kryetar.

Në Debat Pernime, Aliu iu përgjigj pyetjes së Jeta Xharrës se a do të ndikohet në vendimarrje nga “njeriu i fuqishëm i PDK-së në Ferizaj, Elmi Reçica.

“Unë jam njeri vendimmarrës, unë jam mësuar me këtë propagandë. Mbrapa meje janë qytetarët e Komunës së Ferizajt”, tha Aliu.

Në anën tjetër, Muharrem Svarqa, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerësoi punën Faik Graincës, një personalitet me ndikim i LDK-së në këtë komunë.

“Faiku mirë është, vendimet i marr unë. Për leje vendoset në bazë të ligjit”, tha Svarqa.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, Aliu e Svarqa morën më së shumti vota nga kandidatët që ishin në garë për të parin e Ferizajt.

Aliu i PDK-së ka fituar në rrethin e parë 39,16% për qind të votave, ndërsa Svarqa i i LDK-së 31,34 për qind.

Votimet për balotazhin do të zhvillohen të dielën e ardhshme, më 19 nëntor.