Debat Pernime, Suharekë. Foto: Atdhe Mulla

Suhareka ‘Mashkullore’ Premton se do t’u Lëshojë Rend Grave

Kandidatët për Kryetarë të Komunës së Suharekës dhanë zotimet e tyre mbi përmbushjen e kuotës gjinore të paraparë me ligj, në udhëheqjen komunale.

Duke qenë se Suhareka në mandatin e kaluar nuk ka pasur asnjë drejtoreshë komunale, politikanët në Debat Pernime dhanë numrat dhe përqindjet që planifikojnë ti zbatojnë nëse marrin drejtimin e komunës.

Sali Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje konsideron se kuota e paraparë 30 përqind është e vogël për pjesëmarrjen e grave në udhëheqje.

“Minimumi i kuotës është i paktë për neve, duhet të ketë një barazi sikur se është edhe përbërja e popullsisë, për bindjen time do të jetë 50 përqindëshi i mundshëm”, tha Zyba.

Megjithatë, Kryetari aktual, Sali Asllanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk beson në përmbushjen e kuotës gjinore.

“Nuk besoj që ka nevojë për ndonjë çelës në këtë moment dhe unë mendoj se me të vërtetë duhet me kriju hapësirë…por ajo çon në gabime ekstreme që vetëm sa për ta përmbushur kuotën të kemi dikën pa kualifikime profesionale. Mandatin e ardhshëm do t’i kemi minimum dy”, tha Asllanaj.

Kadri Balaj nga Nisma për Kosovën u zotua se do të mundësojë udhëheqje të barabartë në aspektin gjinor nëse bëhet Kryetar i Suharekës.

“50 përqind premtoj dhe zotohem se e bëj këtë”, tha Balaj.

Në anën tjetër, Blerim  Xhemajli premtoi numrin më të madh të drejtoreshave komunale nga të gjithë kandidatët prezentë ne debat pernime.

“50-50 dhe ndoshta edhe më shumë”, tha Xhemajli.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj konstatoi se në udhëheqjen e tij do të ketë së paku 30 përqind gra drejtoresha.

“Nëse e kqyrim popullatën më shumë ka femra se meshkuj por unë pe jap një kuotë, së paku 30 përqind femra”, tha Muharremaj.

I ftuar në debat ishte edhe Bajram Tërshani nga Aleanca Kosova e Re, i cili edhe pse e konfirmoi pjesëmarrjen nuk erdhi në debat.