Braathu në Pzap | Foto: KALLXO.com

Shefi i OSBE-së Bën Thirrje për Zgjedhje Fer

Teksa dërgoi në PZAP formularët e ankesave në alfabetin Brail për t’ua mundësuar ankimin për parregullsi personave me aftësi të kufizuar në të pamur, shefi i OSBE-së në Kosovë Jan Braathu bëri thirrje për proces të drejtë e të lirë zgjedhor.

Jan Braathu tha se me formularët e ankesave në alfabetin Brail, po respektohen të drejtat e njeriut.

“Kemi arritur t’u ndihmojmë në prodhimin e këtyre formularëve, të cilët do të ndihmojnë të gjithë personave të verbër që të kenë qasje të plotë në procesin zgjedhor, përfshirë edhe në dorëzimin e ankesave. Kjo është për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për t’u mundësuar qasje të gjithë personave në proceset zgjedhore dhe qasje në jetën publike”, tha ai.

Braathu tha se në Kosovë për herë të parë në Ballkan po u mundësohet të verbërve të kenë mundësinë e ankesës.

Ai më tej foli për incidentet zgjedhore në Leposaviq mes dy subjekteve serbe.

“Situata është mjaft e brishtë, fatkeqësisht kanë ndodhur disa incidente sidomos në Leposaviq, ju kujtohet që OSBE së bashku me ambasadën amerikane ka lëshuar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës u bëjmë thirrje që të sigurohet një proces fer dhe i drejtë dhe me atë rast kemi dënuar çdo rast të kërcënimit”, tha Braathu.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë deklaroi se do të ishte tragjike të cenohej jeta e ndonjë personi në procesin zgjedhor.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të respektojnë të drejtën e secilit person, të votojnë lirshëm secili person ashtu siç ia merr mendja, në mënyrë që të sigurohet vërtet një proces i lirë, i drejtë dhe paqësor zgjedhor. Do të ishte tragjike sikur të cenohej jeta e njeriut në një proces zgjedhor si pasojë e ngritjes së tensioneve dhe temperamenteve”, tha Braathu.

Kryetarja e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Gyltene Sylejmani tha se janë përgatitur  500 formularë për ankesa në alfabetin Brail.

Personat me aftësi të kufizuara do të kenë qasje në informacione lidhur me paraqitjen e ankesave për shkeljen eventuale gjatë zgjedhjeve… Të shfrytëzojnë këtë mundësi, të marrin pjesë në mënyrë të barabartë me të gjithë kandidatët tjerë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre nëpërmjet procedurave të ankimimit”, tha ajo.

Përfaqësuesi i Shoqatës së të Verbërve Bekim Krasniqi falënderoi PZAP-in për mundësinë e ankesave.

“Ne do t’u bëjmë thirrje të gjithë personave të verbër që të jenë pjesë e procesit zgjedhor, të votimit dhe pastaj në rast se vërejnë ndonjë shkelje apo pakënaqësi të tyre ta shprehin duke e shfrytëzuar këtë formular që është risi në vendin tonë”, tha Krasniqi.

Dje kryetari i shoqatës së të Verbërve Bujar Kadriu, u takua me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka.

“Handikos-i” Monitoron Zgjedhjet me 230 Vëzhgues