Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Sa Duhet të Paguhen Deputetët e Kuvendit pas 11 Qershorit?

Në #DebatPernime ku po diskutohet për integritetin e publik e përgjegjësinë politike, përfaqësuesit e partive politike treguan nëse e meritojnë deputetët pagën që e kanë dhe a e meritojnë deputetët jo-aktiv me marrë pagë, se a do t’i publikojnë financat e partive, se a do t’i vendosin 50% të grave në ekzekutiv.

Përfaqësuesit e LDK-AKR në pyetjen se a është e lartë paga e deputetit prej 1200-20010 euro, thanë se kjo duhet të rishikohet e pagat të harmonizohen duke u marrë për referencë paga mesatare. Vetëvendosje tha se kjo është pagë e lartë, sa 6-7 fishi i pagës mesatare. Ndërsa përfaqësues të PDK-AAK-Nisma  thanë se kjo nuk është pagë e lartë për një deputet që i kanë qëndruar besnik votës së qytetarit, por është e madhe për ata deputetë që e kaun kontrabanduar votën.

Në pyetjen se a e meritojnë rrogën deputetët që e ‘çelin gojën’ veç dy tri herë gjatë tërë vitit, përfaqësuesit e LDK-AKR thanë se këtë duhet ta vendosin qytetarët, po se puna e deputetit nuk është vetëm në seancë, por edhe në komisione. Vetëvendosje kishte përgjigje pak a shumë të ngjashme, duke shtuar se kjo do të vendoset më 11 qershor. E PAN ishin të prerë në përgjigjen se deputetët që nuk janë aktivë nuk e meritojnë pagën dhe nuk do të duhej të ishin as në listë.

A do ti publikojnë partitë politike financat e tyre, me theks të veçantë donatorët, ishte pyetja që përfaqësuesit e dy koalicioneve e Vetëvendosjes, premtuan se do t’i publikojnë.

Ndërsa njëjtë nuk u përgjigjën kur u pyetën nëse 50% të grave do ti vendosin në ekzekutiv, nëse vijnë në pushtet.

“Na kemi gra të forta në listë e me to shkojmë edhe në qeveri”, tha Arben Gashi i LDK-së. Ndërsa Shqipe Pantina e VV-së tha se “VV e praktikon barazinë gjinore. Ne insistojmë që fillimisht të jetë kualitet, e jo veç kuantitet”. Ndërsa Valdete Bajrami e Nismës tha se “do të kërkojmë e insistojmë që gratë të jenë pjesë e vendimmarrjes, sa ma shumë gra ën qeveri puna ma e mirë”.

Partia Demokratike e Kosovës ka munguar edhe në debatin e nëntë me radhë dhe të fundit tematik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në debatin e sotëm Pernime të moderuar nga Jeta Xharra subjektet pjesëmarrëse diskutojnë për integritetin publik dhe përgjegjësinë politike.

PDK, si partia më e madhe në Kosovë në të gjitha zgjedhjet e pas shpalljes së pavarësisë, ka zgjedhur ta vë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjësinë e vet karshi rivalëve në garën zgjedhore dhe publikut.

Deri tani, PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet zgjedhore meqë ka kërkuar hapësirë më të madhe për koalicionin në të cilin merr pjesë me AAK-në dhe NISMA-n.

Kërkesa e PDK-së është vlerësuar e jashtëligjshme nga Komisioni i Pavarur për Media.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: