Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa drejtori komunale do t’iu besohen grave, tregojnë kandidatët për kryetar të Vitisë

Kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë kanë treguar se sa drejtori komunale do t’iu besojnë grave.

Kandidati për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do të emërojë së paku 4 gra.

“Ne do ta rrisim numrin e drejtoreshave, minimumi do të jenë 4 drejtoresha”, ka thënë Ademi.

Po ashtu, kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Azizi tha se do të emërojë 4-5 gra në drejtori.

“Në drejtori do ta përdorim profesionalizimin. 4-5 drejtori do të jenë për gratë”, ka thënë Azizi.

E kandidati për kryetar të Vitisë, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se do të emërojnë gra në gjysmën e drejtorive.

“Sigurisht do të jenë 50 me 50 nga dhjetë drejtori”, ka thënë Haliti.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre nëse marrin mandatin e kryetarit më 17 tetor.

Të ftuar në #DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë: Arsim Ademi  nga LVV; Bekim Azizi nga PDK dhe Sokol Haliti nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vitisë: Majlinda Ostrogllava nga LDK; Majlinda Shabani nga LVV dhe Zyrafete Rama nga PDK.