Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa drejtori do të udhëhiqen nga gratë, tregojnë kandidatët e Gjilanit

Kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit kanë premtuar se gjysmën e pozitave në ekzekutiv do t’ua besojnë grave.

Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk do të jenë më pak se 40%.

“Synimi jonë është që të bëhet 50-50 por nuk do të jetë më pak se 40%”, ka premtuar Hyseni.

E Gani Neziri – kandidat i pavarur për kryetar të kësaj komunë ka thënë se do të jenë 7 gra në pozita udhëheqëse në komunën e Gjilanit.

“Nga përvoja ime që e kam pasur në shërbimin civil komunal kam ardhë në përfundim që gjinia femërore është shumë më e përgjegjshme për detyrat dhe obligimet që i merr mbi vete. Nëse do të behëm kryetar të komunës së Gjilanit e që do te jem 100% do të jenë 7 femra dhe 5 burra”, ka thënë Neziri.

Edhe Leonora Morina Bunjaku nga Partia Demokratike e Kosovës se gratë do t’i vendos edhe në drejtori të shkollave.

“50% të drejtorive do të udhëhiqen nga gratë e po ashtu edhe drejtoreshat e shkollave dhe nëndrejtoreshat do të jenë gra”

Ndërsa Lulzim Bexheti – kandidat i pavarur tha se do të ndjekë shembullin e Finlandës nga edhe vejn dhe do t’ua besojë grave gjysmën e pozitave udhëheqëse.

“Jam për shumicë absolute të grave në udhëheqësi edhe nënkryetarja e komunës do të jetë grua, por pa e anashkalu edhe kualitetin”, tha Bexheti.

Edhe Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se do të emërojë 50% gra në ekzekutiv.

“Po marr zotim që 50% të ekzekutivit do të jenë femra përfundimisht duke ua njohur rolin në Kuvend”, u zotua Haziri.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjilanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit: Alban Hyseni nga LVV; Gani Neziri – kandidat i pavarur; Leonora Morina Bunjaku nga PDK; Lulzim Bexheti – kandidat i pavarur; Lutfi Haziri nga LDK dhe Nazim Gagica nga AAK.

Po ashtu, pjesë e debatit janë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit: Albulena Sylejmani nga PD; Arjeta Kastrati nga Vatra; Diana Toska nga LDK; Kaltrina Fazliu nga AKR; Krenare Latifi Kqiku nga LVV dhe Zarife Asllani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.