PZAP ende pa vendim lidhur me votat e mbetura të diasporës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është duke e shqyrtuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të bërë dje në këtë panel për mos numërimin e një pjese të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

Mulë Desku kryetar i sekretariatit në PZAP ka thënë për KALLXO.com se ankesa e VV-së është duke u shqyrtuar dhe ende nuk kanë ndonjë vendim.

“Është në procedurë të shqyrtimit ankesa, dhe kur të vendoset atëherë publikohet në web-faqe”, ka thënë shkurt Desku.

Dje Lëvizja Vetëvendosje iu është drejtuar me ankesë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për mosnumërimin e një pjese të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

KQZ është arsyetuar se pakot me fletëvotime kanë ardhur pas 6 tetorit, datës së zgjedhjeve parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se janë 4 mijë e 639 dërgesa postare që duhet të numërohen.

“Mbrëmë u numëruan 13 mijë e 491 fletëvotime të votuesve nga mërgata. Presim që PZAP, të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhërojë KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa nga 13 mijë e 241 votat të diasporës të ardhura me kohë më së shumti ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, gjithsej 7.030 vota.

Pastaj, diaspora e ka votuar LDK-në me gjithsej 2.158 vota.

PDK është e treta me 2.139 , koalicioni Nisma-AKR-PD e katërta me 916 , e koalicioni AAK-PSD me 555 vota.