Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Politikat që do t’i shtyjnë përpara kandidatet për Asamblenë e Ferizajt

Politikat që do t’i shtyjnë përpara kandidatet për Asamblenë e Ferizajt

Kandidatet e partive politike për asambliste të Kuvendit Komunal të Ferizajt, në Debat Pernime kanë paraqitur politikat e tyre në rast se marrin mandatin nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Abetare Kurti-Maliqi premtoi se do të jetë zë i adresimit të problemeve të qytetarëve.

“Nuk do të jem vetëm zëri i qytetarëve, nuk do të jem ajo që vetëm do të diskutoj çështje që ka të bëjë me shëndetin e sigurinë, por do të jem një zë që çdo ditë do të jetë në derën e secilit drejtor dhe institucion që duhet të bëjë zgjidhje për problemet e tyre”, tha ajo.

Ndërsa, Donjeta Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës u shpreh se ndonëse e ka mbiemrin si të kryetarit aktual të komunës, Agim Aliu, nuk ka lidhje familjare me të.

Kandidatja Aliu tha se e sheh vetën të fuqishme në dy sfera; në arsim dhe shëndetësi.

“Duke qenë afër nxënësve dhe duke qenë afër kolegëve të mi i shoh sfidat nëpër të cilat ata kalojnë për çdo ditë. Për shembull në arsim e infrastrukturë; ndërtimin dhe funksionalizimin e kabineteve”, tha ajo, duke shtuar se me profesion është stomatologe.

Qëllimi kryesor i Djellza Salihu nga Reformimi Demokratik për Ferizajn, kandidates për asambliste është krijimi i një frymë të re përfaqësimi në Asamblenë e Ferizajt.

Ajo në Debat Pernime tha se do të zhvendos interesin qytetar mbi interesin personal.

“Do të kërkojmë transparencë për të gjitha investimet e bëra, sepse praktikat e deritanishme kanë treguar se  transparenca kanë treguar se transparenca ka qenë nën çdo nivel. Mjafton të përmendim projektin shumëmilionësh ‘Bashkimi i qytetit’ që asnjëherë nuk është prezantuar në Asamble”, tha ajo.

Saliu shtoi se “logjikën e betonimit dhe asfaltimit” do ta transformojnë në investime në shëndetësi, arsim, kulturë, rini, sport dhe përfaqësim të lartë të gruas në vendimmarrje.

Egzona Selimi kandidate për asambliste nga LDK-ja u shpreh se angazhimet e saj do të jenë në rindërtimin e kadastrit.

“Pasi që ende ballafaqohen qytetarët me mungesën e shënjimeve grafike kadastrale. Do të mundohemi të bëjmë analizën e gjendjes ekzistuese. Do ta funksionalizojmë edhe Zyrën për Legalizim. Kemi mungesë të sipërfaqeve të gjelbra dhe do të bëjmë parqe për sporte dhe rekreacion”, tha ajo.

Ndërsa, Fatbardha Zogaj Reka nga LVV-ja adresoi problemet e fshatit Nerodime siç e quajti “mushkëria e Ferizajt”, duke shtuar se është shëndërruar në kanalizim.

“Do të jem zëri i lartë i atyre qytetarëve që ju ka humbur edhe identiteti si një vend që e ka karakterizuar Ferizajn për turizëm. Do të veçoj fëmijët, rininë dhe gratë”, tha ajo.

Në anën tjetër, Mimoza Rama nga AKR-ja tha se për të është hera e parë që kandidon për asambliste.

Rama theksoi se do të përfaqësojë gratë në biznes.

“Prioritet do të jetë që çdo gjë e popullit, do të transmetojë atë që kanë pakënaqësi ose vullnetin për të arritur diçka, do të jem me ta”, tha ajo.

Kandidatja për asambliste, Pakize Bujani nga Lista e Ashkalinjve të Ferizajt e ftuar Debat Pernime renditi prioritet e saj.

“Programi i Listës së Ashkalinjëve të Ferizajt ka 8 pika kryesore. E pata është banimi i qëndrueshëm , e dyta është shëndetësi, arsim, punësim e zhvillim ekonomik, kulturë e sport, luftim të racizmit dhe mbrojtje nga COVID-19. Ne kemi probleme me strehim dhe nevoja për ndërhyrje është shumë e rëndësishme për ndërtuar shtëpi, rindërtuar dhe rinovuar ato”, tha ajo.

Ajo pati premtim edhe në fushën e arsimit.

“Tek arsimimi do të përkrahim nxënësit tonë me mjete e me bursa studimore. Sa i përket shëndetësisë do të avokojmë për marrjen e shërbimeve në mënyrë korrekte dhe pa diskriminim e po ashtu do të angazhohemi të punësojmë edhe pjesëtarë nga komuniteti ynë. Grave do t’u ofrojmë trajnime profesionale e më pas ato të përkrahen nga kryetari i komunës me grante”, tha ajo.

Ndërsa, Xhemile Murati Shabani nga AAK-ja tha se do të përballet me hallet e qytetarëve, sidomos të rinisë, komunitetit sportiv dhe artistik.

“Tek të rinjtë mendoj se është e nevojshme të organizohen trajnime sa më të shumta për përgatitjen e tyre për tregun e puëns, krijimi i kartelës digjitale për vullnetarët në komunitet,  lobimi për përfundimin e Pallatit të Kulturës”, tha ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin timonin e Ferizajt diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Ferizajt: Agim Aliu nga PDK; Arben Halili nga AAK; Sibel Halimi nga LDK dhe Valon Ramadani nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Ferizajt: Abetare Kurti nga Nisma Socialdemokrate; Donjeta Aliu nga PDK; Djellza Salihu nga RDF; Egzona Selimi nga LDK; Fatbardha Zogaj Reka nga LVV; Mimoza Rama nga AKR; Pakize Bujani nga PAI dhe Xhemile Murati Shabani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.