Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përparim Rama – Arben Vitisë: Nuk keni ide si çkapet kryeqyteti nga kaosi

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama i ka thënë kundërkandidatit të tij nga LVV-ja Arben Vitisë se nuk e di se si çkapet kryeqyteti.

Fillimisht, Vitia i pyetur se cili është ndonjëri prej planeve të Ramës që nuk do ta financonte, ai i quajti “fontana dëshirash” projektet e  kundërkandidatit për nënkalime.

“Gjithë këto nënkalime, gjithë këto fontana dëshirash që nuk kanë asnjë impakt në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe janë fonde që nuk ekzistojnë askund, pa e pasur idenë se sa zgjasin procedurat për të marrë këto fonde. Nuk i kisha realizu për një arsye të vetme: është ky projekt 4 vjeçar apo 40 vjeçar”, tha ai.

Ndërkaq, Rama tha se projekti është 4-vjeçar dhe është për përmirësimin e qytetarëve.

“Kjo është për çkapjen e kryeqytetit prej një kaosi total urban ku e ka kapluar vetura, në një qytet i qytetarit. Nëse këto i thirrni të panevojshme, atëherë ju nuk keni ide se si do të bëhet çkapja e kryeqytetit tonë nga kaosi urban”, tha ai.

Sonte në “Debat Përnime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për kryetar të Prishtinës.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.