Sokol Bashota, Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Përgjigja e Sokol Bashotës për Xhipin e Prishur të Komunës

Për 11 mijë eurot e shpenzuar nga buxheti komunal për riparimin e veturës zyrtare të kryetarit të Klinës, Sokol Bashota është përgjigjur në emisionin Debat Pernime për Klinën.

Moderatorja e debatit, Jeta Xharra e ka pyetur Bashotën nëse i kishte rënë pishman për blerjen e veturës “Range Rover”, për shërbimet zyrtare të tij si kryetar komune.

Kjo veturë i kishte kushtuar buxhetit të Klinës 67 mijë euro kur ishte blerë në vitin 2010, por për të u desh të jepen edhe rreth 11 mijë euro shtesë për riparim pesë vite më vonë.

Sokol Bashota, kryetar aktual i Klinës dhe kandidat i PDK-së për një mandat tjetër në krye të komunës, kur u përgjigj, tha së s’është pishman për blerjen e kësaj veture luksoze.

Bashota po ashtu tha se ka kohë që nuk vozitet me “Range Rover”, por me veturën e tij personale.

“Unë nuk i kam ra pishman, “Range Rover”-i punon edhe sot, por unë qe katër vite udhëtojë vetëm me veturën time personale”, tha Bashota

Ai tha së tani kjo veturë zyrtare shërben për nevojat e  drejtorëve të drejtorive të Komunës së Klinës.

“Jo nuk e kam shitur, ajo është në funksion të drejtorisë. Drejtorët, cili duan e marrin për arsye se kanë nevoja të ndryshme”, u shpreh Sokol Bashota.

Moderatorja e emisionit “Debat Përnime”, Jeta Xharra, e pyeti Bashtotën edhe për shpenzimet e karburantit të kësaj veture, kurse Bashota u shpreh se mund të gjinden statistikat e tyre, ndërsa ai personalisht tha se nuk ka shpenzuar shumë.

“Po ti mundesh m’i pa statistikat e shpenzimeve që janë bërë. Vetëm për shtatë muaj sa jemi këtu Kryetari i Komunës ka vetëm 240 euro”, tha Bashota.

Me vonë, Bashota tha se nuk i duket e arsyeshme të diskutohet për çështjet teknike të prishjes së motorit të veturës zyrtare të komunës.

“M’u marrë me çështjet teknike të një motori të një makine, kush e prishi?”, u përgjigj Bashota.

KALLXO.com kishte raportuar për prishjen e veturës zyrtare “Range Rover”-it dhe koston e riparimit të tij.

Po ashtu, KALLXO.com raportoi edhe kur “Rang Roveri” i prishur qëndronte te auto-servisi e cila priste fatin e saj nga vendimi i Kryetarit të Klinës, Sokol Bashota.