PDK në Gjakovë: Do të ndërtojmë strehimore për qentë endacakë

Kandidatja për kryetare të Gjakovës, Arbënesha Kuqi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se në qeverisjen e tyre do të ndërtojnë strehimore për qentë endacakë.

“Do të ndërtojmë një strehimore për qentë endacakë ku do t’i sistemojmë aty e do t’i kurojmë e do të merremi edhe me shëndetin e tyre”, ka thënë Kuqi.

Po ashtu, Kuqi ka thënë se do të punojë edhe që të luftojë bullizimin në komunën e Gjakovës e të ndalohen ngacmimet e vajzave e djemve.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës: Arbënesha Kuqi nga PDK; Ardian Gjini nga AAK; Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate; Ferdinand Kolaj nga PShDK; Mimoza Kusari Lila nga LVV dhe Teki Shala nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës: Genta Domi Hoxha nga LDK; Lirianda Dahsyla nga PDK; Nita Efendia Brovina nga AAK; Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate; Time Hasani nga LVV dhe Valerije Kola nga PShDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.