Foto: Atdhe Mulla

Partitë nuk mund të Ndëshkohen për Fëmijët në Fushatë

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as ndonjë rregullore e KQZ-së nuk ndalon shfaqjen e fëmijëve në fushatë dhe spote politike.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka treguar për KALLXO.com se shfaqja e fëmijëve në spote të fushatës nuk është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme apo ndonjë rregulloreje të KQZ-së.

Megjithëse PZAP-i ka gjobitur subjektet politike për shkelje të Kodin të Mirësjelljes në vlerën 8850 euro, nuk ka mundësi ligjore për të ndëshkuar këto subjekte për paraqitje të fëmijëve në fushatë, e as nuk ka marrë ndonjë ankesë për këtë gjë.

Petrit Kryeziu, udhëheqës i Zyrës Ligjore të BIRN Kosovës duke e cilësuar keqpërdorim të fëmijëve paraqitjen e tyre në fushatë, e konsideron zbrazëti mungesën e ndëshkimit me ligj për këtë gjë.

“Mungesa e dispozitave ligjore në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me të cilat do të mbroheshin të drejtat e fëmijëve është njëra nga zbrazëtitë themelore në këtë ligj, mungesë kjo e cila po i amniston shkeljet e vazhdueshme të subjekteve politike në disfavor të të drejtave të fëmijëve”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Kryeziu më tutje kërkoi reagim për shkeljen e të drejtave të fëmijëve nëpër fushata.

“Është nevojë emergjente që të ketë ndryshim-plotësim të këtij ligji, sidomos sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Të gjendur para një situate ku fëmijët lihen në dorë të politikës, më e pakta që do të duhej të ndodhte do të ishte një reagim i fuqishëm nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit”, tha Kryeziu.

Në një videospot të Lirak Çelajt, kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës dy fëmijë shfaqen për disa sekonda, ndërsa kjo gjë nëse nuk mund të ndëshkohet nga PZAP-i, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Shërbimet Mediale Audiovizuale.

Ky kod jo vetëm që ndalon përdorimin e fëmijëve si “protagonistë” të spoteve, por ndalon shfaqjen e fëmijëve në tërësi në fushatë në çfarëdo mënyre që bëhet ajo.
“Nuk lejohet përdorimi dhe prezenca e fëmijëve në spotet e ndryshme promovuese të partive politike”, thuhet në nenin 9 të këtij kodi.

Megjithatë, Kodi i Sjelljes për Shërbimet Mediale Audiovizuale nuk vlen për partitë politike, por i bën përgjegjës drejtuesit e mediave dhe redaktorët para Komisionit të Pavarur për Media në rastet kur këta të fundit shpërndajnë video të cilat shfaqin fëmijë.

KALLXO.com ka raportuar rreth këtij fenomeni edhe në zgjedhjet e kaluara.