Kujtim Paçaku. Foto: Atdhe Mulla

Paçaku: Do të Vazhdojmë t’i Kërkojmë të Drejtat Tona

Në #DebatPernime ku po diskutohet për Integritetin Publik dhe Përgjegjësinë Politike, Kujtim Paçaku i Partisë së Re Rome tha se do të vazhdojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre, të cilat janë të garantuara me kushtetutë.

“Zëri ynë është dëgjuar edhe në Bruksel. Ne nuk do tërhiqemi as nga parlamenti e as nga qeveria, për të kërkuar të drejtat tona që janë të garantuara me kushtetutë”, tha ai.

Paçaku shtoi se nuk ka më asnjë romë kosovarë që qëndron me trup në Kosovë e mendje diku tjetër.

Partia Demokratike e Kosovës ka munguar edhe në debatin e nëntë me radhë dhe të fundit tematik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në debatin e sotëm Pernime të moderuar nga Jeta Xharra subjektet pjesëmarrëse diskutojnë për integritetin publik dhe përgjegjësinë politike.

PDK, si partia më e madhe në Kosovë në të gjitha zgjedhjet e pas shpalljes së pavarësisë, ka zgjedhur ta vë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjësinë e vet karshi rivalëve në garën zgjedhore dhe publikut.

Deri tani, PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet zgjedhore meqë ka kërkuar hapësirë më të madhe për koalicionin në të cilin merr pjesë me AAK-në dhe NISMA-n.

Kërkesa e PDK-së është vlerësuar e jashtëligjshme nga Komisioni i Pavarur për Media.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: