Isa Mustafa në Kamenicë - Foto: LDK

Mustafa: LDK Qeveris Ndershëm

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë sot gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e komunës së Kamenicës se partia që ai drejton ka programin më të qartë për perspektivën zhvillimore të komunave të Kosovës, njerëzit e saj qeverisin me ndershmëri dhe janë model i sjelljes për të rinjtë.

“Njerëzit e LDK-së kanë qeverisur mirë, pa asnjë aferë korruptive, kanë punuar në të mirë të komunave të Kosovës dhe krejt Kosovës. Ne nuk përçojmë mesazhe të dhunës dhe sjelljeve vulgare, por qeverisim për të mirën e qytetarëve dhe jemi model i sjelljes për të rinjtë e Kosovës”, ka thënë Mustafa sipas një komunikate të LDK-së.

Sipas tij, LDK-ja ka hartuar programin e saj në bashkëbisedim me të gjithë brezat dhe grupet e interesit, për t’u siguruar se ai program realizon aspiratat e qytetarëve.

Mustafa ka thënë se kandidatura e profesor Shaip Surdullit për kryetar të Kamenicës meriton mbështetjen e të gjithë qytetarëve të kësaj komune, duke shtuar se Surdulli do të dijë të artikulojë dhe të gjejë zgjidhje për të gjitha kërkesat e qytetarëve, e veçanërisht të rinjve, me të cilët ka punuar një kohë shumë të gjatë.

Ndërsa, kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, është shprehur i bindur në fitoren e tij dhe të listës së kandidatëve të LDK-së për Kuvendin Komunal të Kamenicës, e cila sipas tij ka mbi 30 për qind të rinj e të reja.

“Ne kemi ndërtuar partneritet me bizneset dhe arsimin, për aktivizimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për punësim. Studentët do t’i mbështesim me bursa. Kurse atyre që përfundojnë studimet do t’u mundësojmë punë praktike me pagesë për 6 muaj, në sektorin publik dhe atë privat”, ka thënë Surdulli.