Nisma hap fushatën në Obiliq - Foto: Nisma

Limaj: Asnjë Familje Nuk do të Mbetet Pa të Punësuar

“Obiliqit po i bëhet e padrejtë pasi ky vend prej të cilit po përfiton e gjithë Kosova nuk po e merr atë që e meriton “, ka thënë Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, në Obiliq, ku kjo parti ka hapur fushatën dhe ka prezantuar kandidatin për kryetar komune dhe kandidatët për asamblistë.

Me këtë rast, Limaj ka përsëritur se plani i Nismës në nivel nacional është që asnjë familje në Kosovë nuk do të mbetet pa së paku një të punësuar.

Kreu i Nismës beson se “fryma e re e ndryshimit” që ka kapluar anekënd Kosovën do të ndodhë edhe në Obiliq. “Dhe nuk ka figurë tjetër që përçon frymën e re të ndryshimit më shumë sesa Mexhid Krasniqi”, ka thënë ai.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Obiliqit, Mexhid Krasniqi, tha se “të gjitha rrugët në Obiliq po çojnë drejt ndryshimit”.

“Kryetar i Obiliqit nuk do të jetë Mexhid Krasniqi, por do të jetë bujku, arsimtari dhe qytetarët… Qytetarët e komunës sonë do t’i vëmë në qendër të projekteve”, u shpreh ai.

Krasniqi tha se nuk do ta lërë rehat Fatmir Limajn si zëvendëskryeministër i Qeverisë që qytetarët e Obiliqit të kenë prioritet në punësim.

Sipas tij, KEK-u është mbushur me të punësuar nga Drenica e Llapi, e qytetarët e Obiliqit megjithëse e thithin tymin dhe pluhurin e tymtarëve nuk janë të punësuar.