Fatmir Limaj në fushatë në Malishevë - Foto: Facebook

Limaj: Aeroporti dhe Autostrada Janë Projekte të Mia

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë sot në një tubim elektoral në Malishevë se është krenar që projekti i Aeroportit dhe Autostradës janë projektet e tij.

“Jam krenar që në secilin fshat e kemi përmirësuar infrastrukturën rrugore. I sigurova bashkëvendësit e mi se nuk do të bëjmë asnjë veprim, i cili do t’i bënte ata të ndihen keq. Do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që e duan Kosovën”, ka thënë Limaj para bashkëvendasve të tij, duke theksuar se Malisheva ka qenë e izoluar dhe e bllokuar nga njerëzit që nuk mendojnë si ata.

Kryetari i Nismës ka porositur bashkëvendasit e tij që mos t’i injorojnë tjerët por mos të bëhen si ata.

Në hapje të fushatës në vendlindjen e tij, Fatmir Limaj tha se ndryshimet e mëdha politike kanë filluar pikërisht në Malishevë.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka përgëzuar kryetarin aktual dhe kandidatin për kryetar Ragip Begaj për punën që ka bërë gjatë këtyre viteve dhe shtoi se puna që ka bërë Nisma në Malishevë është dëshmi që kjo parti do të fitojë prapë pa balotazh.

Kryetari aktual i Malishevës Ragip Begaj, i cili synon edhe një mandat në zgjedhjet e 22 tetorit tha se qytetarët janë në dijeni se çka ka bërë Nisma mandatin e kaluar.

Ai premtoi se do të ndërtojnë shkolla dhe çerdhe të reja, ndërsa ka përmendur investimet që janë bërë gjatë kohës sa ka udhëhequr me Malishevën.

“Ai po ashtu ka treguar se për katër vjet kanë ndërtuar 120 kilometra rrugë , 130 metra kanalizime, 35 kilometra trotuar , ndërtim të ujësjellësit, në bujqësi kanë ndërtuar 10 stalla, ndërtimin e serave e tjera”, citon kryetarin Begaj një komunikatë e Nismës për Kosovën.