Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Latifi: Në mandatin tjetër do ta zgjidhim problemin me kanalizim e shumë probleme të tjera

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Rahovecit dhe kryetari aktual i kësaj komune, Smajl Latifi, ka thënë se në mandatin e ardhshëm do t’i zgjidhin problemet me kanalizim të komunës së Rahovecit.

Përveç problemeve me kanalizim, Latifi ka thënë do të zgjidhen edhe problemet e tjera që tashmë i kanë kontraktuar.

“Ne i dimë saktë problemet, kemi kontrata dhe do t’i zgjidhim në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar jo vetëm problemet e kanalizimit por të gjitha problemet të cilat i kemi të kontraktuara qysh tani”, është shprehur Latifi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Rahovecit: Bejtullah Deliu nga PDK; Burim Krasniqi nga LDK; Smajl Latifi nga AAK; Visar Korenica nga LVV dhe Xhafer Bytyqi – kandidat i pavarur.  

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Rahovecit: Besmire Bytyçi dhe Bjondina Kleqka nga AAK; Edona Kryeziu nga LDK; Florida Bajraktari dhe Melinde Iska nga PDK; Merisa Sharku Vuqitërna dhe Shqipe Kryeziu nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.