Mimoza Kusari e Behgjet Pacolli (Arkiv). Foto: Facebook

Kusari-Lila Refuzon të Flasë për Behgjet Pacollin

Mimoza Kusari-Lila, dikur figurë e rëndësishme e Aleancës Kosova e Re nuk pranon të flasë për kryetarin e kësaj partie, Behgjet Pacolli.

E provokuar nga kundërkandidati i saj për Komunën e Gjakovës, Driton Çaushi në Debat Pernime, Kusari-Lila tha se nuk është ‘zëdhënëse e askujt’.

Pas ankesave të Krytetares aktuale të Gjakovës dhe kandidates së Alternativës për këtë Komunë se projektet i ishin pezulluar nga mosfunksionimi i qeverisjes qendrore, Çaushi e pyeti rreth qeverisë së sapo formuar me ndihmën e Pacollit.

“Është e turpshme që të manipulohet me gjëra të tilla si gazi lotsjellës për shkak se është shumë e vetëdijshme se nuk ka qenë spektakël…Le të flet për Behgjet Pacollin që sot e mundësoi qeverinë e Listës Srpska e që votat i mori rregullisht nga Gjakova”, tha Çaushi.

Rreth kësaj kërkese, Kusari-Lila theksoi se nuk është më pjesë e asaj partie.

“Nuk jam zëdhënëse e askujt, nuk qëndroj në parti, të cilën duhet të flas në emër të askujt kush ja ka siguru votat. Kanë qenë zgjedhje që janë mbajt në qershor të vitit 2017 kur unë nuk kam qenë në parti [AKR]”, tha ajo.

Në Debat Pernime ishin  Ardian Gjini (AAK), Bekim Ermeni (LDK), Driton Çaushi (VV), Edmond Dushi (AKR), Fazli Hoxha (NISMA), Mimoza Kusari-Lila (Alternativa) dhe Ramadan Hoti (PDK).