Posterët në rrethojat e Shtëpisë së Xhafer Devës

Kërkohet Largimi i Posterëve Afër Shtëpisë së Xhafer Devës

Besart Peci nga Grupi i Pavarur i Qytetarizmit Aktiv “Tjetërqysh” ka kërkuar që posterët zgjedhorë të largohen nga llamarinat rrethuese të shtëpisë së Xhafer Devës.

Peci ka reaguar për këta posterë duke thënë se janë vendosur në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Sipas Pecit në nenin 6, pikën 3 të këtij ligji thuhet se “hapësira e mbrojtjes së monumentit përfshin secilin ndërtim ose strukturë të vlerës së pranuar brenda perimetrit të monumentit dhe përcaktohet në një plan të Institucionit kompetent”.

Peci më tutje duke iu referuar Ligjit për Trashëgiminë Kulturore përmend edhe pikën 4 të nenit 6 që përcakton hapësirën mbrojtëse të objekteve të kësaj trashëgimie.

“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit”, thuhet në këtë nen.

Edhe pika 10 e nenit 6 tregon shenjëzimin e objekteve nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

“Trashëgimi arkitekturale nën mbrojtje shenjёzohet qartë me një shenjë të dukshme. Vendosja e materialeve reklamuese në monumentet arkitekturale, ndërtesat e asambleve ose brenda hapësirave konservuese arkitekturale bëhet me leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në pikën 10 të nenit 6.

Shtëpia e Xhafer Devës, politikanit nga Mitrovica ishte përfshirë nga zjarri në mars të vitit 2015, ndërsa nën dyshimin për zjarrvënie atëherë ishte arrestuar një person.