Leonora Morina- Bunjaku, kandidate e PDK-së për zgjedhjet e 11 qershorit 2017,. Foto: Facebook.

Kandidatja e PDK-së Flet për Pitalkat Falas

Kandidatja e PDK-së për deputete për zgjedhjet e 11 qershorit, Leonora Morina- Bunjaku, tha sot se nuk ka qenë në dijeni për shpërndarjen e pitalkave falas në një furrë buke në Gjilan.

KALLXO.com më herët raportoi se dy ditë më parë, në furrën “Pashtriku” në Gjilan janë shpërndarë pitalka falas në emër të kandidates Morina- Bunjaku.

Pitalkave për klientët e furrës u është dhënë në qese edhe një vizitkartë e Leonora Morina- Bunjakut në të cilën është fotografia e saj bashkë me siglën e partisë dhe numrin e saj në listën e kanidatëve.

Në një sqarim të bërë përmes degës së PDK-së në Gjilan, Morina- Bunjaku tha se “nuk ka qenë në dijeni për rastin e shpërndarjes së pitalkave me vizitkartën e saj”.

“Pas informimit dhe sqarimeve të detajuara mbi shpërndarjen e pitalkave me vizitë-kartë të saj, është kuptuar se disa aktivistë të paautorizuar nga kandidatja znj. Leonora Morina – Bunjaku dhe nga Shtabi Zgjedhor i Degës së PDK-së në Gjilan, kanë ndërmarrë një aksion humanitar për shpërndarjen falas të pitalkave”, thuhet në sqarim.

Ndërsa vetë Leonora Morina- Bunjaku, profesoreshë në gjimnazin e Gjilanit dhe asamblistë e PDK-së në Kuvendin Komunal, ka kërkuar falje.

“Duke i kërkuar falje publike qytetarëve, për këtë rast, ju siguroj se qëllimi im jetësor është aktiviteti në shërbim të qytetarëve, por asnjëherë duke banalizuar në momente të tilla”, ka deklaruar Leonora Morina – Bunjaku.