Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i VV-së thotë se do ta trajtojnë komplet rrjetin e ujësjellësit në Deçan

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Deçanit, Orges Tafilaj, në Debat Pernime ka thënë se nëse e marrin qeverisjen në këtë komunë do të bëjnë trajtimin e komplet rrjetit të ujësjellësit.

“Shumica e fshatrave në Deçan nuk kanë ujë të pijshëm. Shumica prej tyre kanë problem me kanalet që e sjellin atë ujë të pijshëm. Ritrajtimi i komplet rrjetit të ujësjellësit do të jetë një nga pikat e para që do të bëjmë në mandatin e ri”, tha Tafilaj.

Tutje Tafilaj për helmimin masiv në Deçan nga uji i pijshëm tha se do ta presin vendimin e prokurorisë dhe më pas do të dalin me deklaratë.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Deçanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Deçanit, Ardiana Qorraj nga PDK; Bashkim Ramosaj nga AAK; Hyri Dobrunaj nga LDK; Isa Elezaj – kandidat i pavarur; Orges Tafilaj nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit: Arbnora Dervishaj dhe Diana Krasniqi nga PDK; Fatjona Kuqi dhe Fahrije Haklaj nga LDK; Floriana Hulaj dhe Lendita Berisha nga AAK; Teuta Neziraj dhe Rabije Haklaj nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.