Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i PDK-së thotë se kryetari i Fushë Kosovës është i kyçur ilegalisht në ujësjellës, reagon Berisha  

Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Rrahim Tërnava, e ka akuzuar kryetarin aktual të komunës, Burim Berisha për kyçje ilegale në ujësjellës, si dhe për shit-bjerje të banesave në Fushë Kosovë.

“Kryetari aktual është i kyçur ilegalisht në gypa të ujit të ujësjellësit, nuk e di si e ka vendosë orën ose si paguan, por kanalizimi mungon në fshatin Sllatinë e Madhe, nuk e di qysh ka të drejtë të kandidojë edhe sot, në 2021 për mandat të pestë, kur në fshatin e vet s’e ka rregulluar kanalizimin dhe ujin”, tha ai.

Kurse, kandidati për kryetar të komunës së Fushë Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Berisha tha se në oborr të tij ka pus dhe furnizohet me ujë nga pusi.

“Sqarime sepse replika nuk do të bëj me këta. Sqarimi është ky: Unë kam bunar në oborrin tim, furnizohem me bunar. Për kanalizim, nëse është për Sllatinën e Fushë Kosovës aty s’ka asnjë shtëpi që s’ka kanalizim pothujase. Ndërsa nëse është ndonjë Sllatinë tjetër, atëherë është problem tjetër. Nuk është e vërtetë që kryetari ka shtëpi afër tyre. Unë e kam shtëpinë shumë larg prej tyre. Është e pavërtetë, ata kanë kanalizim”, tha ai.

KALLXO.com në korrik të këtij viti ka raportuar rreth ankesës së banorëve të Sllatinës së Madhe të cilët kanë thënë se ujërat e zeza vijnë edhe nga shtëpia e kryetarit të Komunës, Burim Berisha. Ky i fundit i kishte mohuar pretendimet.

Në Debat Pernime, tutje kundërkandidati nga PDK-ja, Rrahim Tërnava shtoi se kryetari Berisha bën edhe shit-blerje të banesave.

“E din këtë punë qytetarët më së miri se sa shtëpi dhe banesa i ke. Degjohet në qytet, dhe shitblerjet që bëhen mes vëllait dhe djalit tënd muajt e fundit me banesa, edhe atë e din qytetarët”, tha ai.

Kurse, kryetari Berisha këto deklarime i quajti dezinformata.

“Ajo është një dezinformatë e  plotë, se kush është uzurpator dhe kush blen e shet janë të tjerë. Tek unë nuk ka të tilla gjëra”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Fushë Kosovës: Burim Berisha nga LDK; Enver Bajçinca nga LVV; Hasan Ismajli nga AAK; Rrahim Tërnava nga PDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës: Aida Alimi nga PDK; Vildane Latifi nga AAK; Vjollca Breznica nga LVV; Vjollca Konjusha nga LDK. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.