Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LVV-së tregon emrat drejtoreshave gra që do t’i emërojë në rast se bëhet kryetar

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Deçanit, Orges Tafilaj, në Debat Pernime ka premtuar se do të emërojë minimum 50% të grave në drejtori ndërsa ka treguar edhe emrat e grave që do t’i udhëheqin këto drejtori.

“Minimumi pesë drejtori do të udhëhiqen nga femrat. Rajmonda Ahmetaj do ta udhëheq drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rabije Haklaj do ta ketë një drejtori, Jehona Avdullahu do ta udhëheq drejtorinë e Bujqësisë, Nurije Demaliaj do ta udhëheq drejtorinë e Shëndetësisë e emrat e tjerë do t’i shohim”, ka thënë Tafilaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Deçanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Deçanit, Ardiana Qorraj nga PDK; Bashkim Ramosaj nga AAK; Hyri Dobrunaj nga LDK; Isa Elezaj – kandidat i pavarur; Orges Tafilaj nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit: Arbnora Dervishaj dhe Diana Krasniqi nga PDK; Fatjona Kuqi dhe Fahrije Haklaj nga LDK; Floriana Hulaj dhe Lendita Berisha nga AAK; Teuta Neziraj dhe Rabije Haklaj nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.