Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Dragashit tregojnë se sa kate do të shkojnë ndërtesat e larta në Brod

Kandidatët për kryetar të Dragashit në “Debat Përnime” kanë treguar se sa do të jetë numri i kateve të ndërtesave që do të lejohen të ndërtohen në zonën turistike të Brodit.

Shaban Shabani nga PDK ka thënë se nuk do të lejojnë ndërtime më të larta se dy kate.

“Është në proces plani rregullues që përfshin zonën e tretë të parkut nacional. Me miratimin e këtij plani, nuk do të ketë ndërtime të larta, do të ketë shtëpi të vogla njëkatëshe eventualisht dykatëshe që do të përkojnë me Parkun Nacional dhe qendrën turistike”, ka thënë Shabani.

Ndërsa kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, ka thënë se ndërtimet në këtë zonë do të jenë 2-3 kate, pa e specifikuar.

“Nuk mendoj që është kompetencë e jona. Kjo çështje i përket stafit të Parkut Nacional. Sa i përket komunës aty nuk do të lejojmë ndërtime më të larta se dy-tre katëshe”, ka thënë Xheladini

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Dragashit, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në “Debat Përnime” janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Dragash: Bexhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini ka marrë 35.7% të votave kurse Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 32.6%.