Foto: Facebook / Arben Taravari

Kandidatët për Gostivarin premtojnë rregullimin e gropave dhe asfaltimin e rrugëve

Komuna e Gostivarit e banuar me shumicë shqiptare përballet me probleme të shumta infrastrukturore.

Rruga përballë tregut te qytetit është e dëmtuar. Poashtu edhe rruga “Boge Veljanovski” është e dëmtuar dhe paraqet problem për vozitësit.

Poashtu edhe rruga e cila lidh fshatin Zdunjë me fshatin Debresh është e dëmtuar, ndërsa një pjesë nuk është e asfaltuar fare.

Për këto probleme infrastrukturore në Debat Pernime kanë folur kandidatët për kryetar të kësaj komune.

Kandidati nga lëvizja Besa, Fadil Zendeli, premtoi hapjen e bulevardit gjatë mandatit të tij.

“Problemi i bulevardit “Vëllezërit Gjinovski” është i vjetër, nuk është i këtij mandati por i mandateve të kaluara. Bëhet fjalë dy objekte. Besoj që gjatë mandatit tim do ta realizoj hapjen e bulevardit, ndërsa hapja e këtij bulevardi ka edhe pasoja në ndërtimin e urës mbi lumin Vardar, për shkak se ura ekzistuese mbi lumin Vardar nuk i plotëson kapacitetet e duhura, ose duhet të zgjerohet ose të ndërtohet urë e re”, tha Zendeli.

Ai tutje shtoi se nuk do të ketë më gropa dhe rruga e cila lidh fshatin Zdunjë me fshatin Debresh do të ndërtohet.

“Mund të premtoj lirisht se çështja e gropave është çështje shumë lehtë e realizueshme dhe e tejkalueshme. Rruga e cila lidh fshatin Zdunjë me fshatin Debresh është e dëmtuar dhe premtoj se do të ndërtohet”, u shpreh Zendeli.

Ndërsa kandidati nga koalicioni ASh-AAA tha se rruga Zdunjë-Debresh ka kaluar projekti dhe se do të ndërtohet rruga “Boge Veljanovski”.

“Rruga Zdunjë-Debresh ka kaluar projekti dhe në 2022 do të asfaltohet, kurse pjesa e Zdunjës për hyrje në fshat veç janë duke punuar kompania e cila asfalton. Rruga “Boge Veljanovski” është në program për vitin 2022. Ndërsa “Vëllezërit Gjinovski”, nuk dhashë afat, jemi në negociata me palët”, tha Taravari.

Renata Elezi, kandidate e PDSh-së për Gostivarin tha se Gostivarit nuk i ngjajnë rrugët e dëmtuara.

“Do të ndërtohet, do të punohet, sepse Gostivarit nuk i ngjanë një rrugë e dëmtuar. Menjëherë do të fillojë dmth me 17 tetor janë zgjedhjet, me 20 tetor do i’a fillojmë”, tha Elezi.

Të ftuar në debat janë kandidatët: Arben Taravari nga koalicioni koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Fadil Zendeli nga Besa dhe Renata Elezi nga PDSh.

Kandidatët përballë gazetares Jeta Xharra do të diskutojnë për tema të ndryshme në interes të qytetarëve të Gostivarit, duke filluar nga shëndetësia, arsimi, infrastruktura, ambienti, qentë endacak, siguria publike, e transporti.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës ishin edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gostivarit: Sebajete Zenku nga BDI, Vjollca Baftiu Zylbehari nga BDI dhe Trëndëlina Deari nga BESA.