Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kandidati për kryetar të Prizrenit, Lulzim Kabashi – Foto: Facebook

Kabashi Premton 5,000 Vende Pune në Prizren

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prizrenit, Lulzim Kabashi, ka premtuar sot se në një mandat katërvjeçar në qeverisje të Prizrenit ai do të bëjë të mundshëm krijimin e 5 mijë vendeve të punës.

Sipas tij, ky premtim do të arrihet përmes ndërtimit të parqeve të biznesit në këtë qytet.

Kabashi ka premtuar investime edhe në bujqësi, ndërtim të çerdheve, përmirësimin e kualitetit të ndërtimit si dhe mbrojtjen e pjesës së vjetër të qytetit, si një aset i rëndësishëm për nxitjen e turizmit.

“Deri më tani janë bërë ndërtime, por me kualitet të dobët, ne do ta përmirësojmë kualitetin. Pjesën e vjetër do ta ruajmë dhe ta vëmë në shërbim të turizmit,” tha Kabashi.

Në këtë tubim elektoral, që u zhvillua në ambientet e Kalasë së Prizrenit, ishte i pranishëm edhe kreu i AAK-së dhe Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kabashi kërkoi nga kryeministri Haradinaj që të shtyjë përpara realizimin e projekteve si ndërtimi i rrugës që lidhë Prizrenin me Tetovën, ndërtimin e një stadiumi olimpik, ndërtimin e një hidrocentrali dhe për krijimin e mundësive për investime nga jashtë.

Ndërsam Haradinaj u ka premtuar të pranishmëve dhe të gjithë qytetarëve të Prizrenit se kandidati i kësaj partie për kryetar komune, do ta ketë mbështetjen e Qeverisë në zbatimin e shumë projekteve të rëndësishme për qytetin.

“Kandidati Lulzim Kabashi është njeri që mund të kryej punë. Luli është një person që, gjatë përvojës që kam me të, ka dëshmuar se me pak hapësirë, ai jep rezultat. Paramendoni nëse ju ja jepni mundësinë për të qeverisë me Prizrenin”, është shprehur kreu i AAK-së.