Debat Pernime për Podujevën. Foto: Atdhe Mulla

A ka Haraç në Podujevë?

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Hajredin Hyseni, akuzoi qeverisjen aktuale të komunës së po i subvencionon bujqit vetëm në baza partiake.

Akuzën Hyseni e bëri në Debat Pernime të moderuar nga Jeta Xharra.

“Nuk kemi transparencë nga komuna për ndarjeën e subvencioneve. Është shqetësim i qytetarëve se subvencionet në bletë e mjedra ndahen në baza partiake”, tha Hyseni.

Por kryetari i komunës, Agim Veliu nga LDK, që kandidon edhe për një mandat në këtë post, ftoi rivalët që t’i verifikojnë këto akuza ndërsa dha një premtim nëse këto pretendime dalin të sakta.

“Ju them me përgjegjësi të plotë, edhe me pasoja nëse është nevoja, që nëse vërtetohet se subvencionet komunale janë ndarë në baza partiake, unë më 22 tetor, ditën e zgjedhjeve, në sheshin e qytetit, do të deklaroj që nuk jam më kryetar i komunës”, tha Veliu.

Në këtë pikë, debati për subvencione devijoi në akuzat e ndërsjella ndërmjet Veliut dhe kandidatit të Vetëvendosjes, Ajet Potera, për haraç në këtë komunë.

“Ne e dimë me emra e mbiemra që ky me administratën e vet ka qitë haraç”, tha Potera duke iu referuar një rasti në fshatin Llugë, por pa përmendur emra konkretë.

Agim Veliu i replikoi duke u kthyer në kohën e pasluftës.

“Haraçi në Podujevë nuk ekziston që nga paslufta kur ky (Ajet Potera) ka qenë komandant dhe ka dashur ta futë haraçin. Këto janë teori të konspiracionit”, tha Veliu.

Debati i plotë: