Liqeni i Përlepnicës. Foto: MZHE

Hyseni premton qendra rekreative e sportive te liqeni i Përplenicës dhe i Livoçit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, në “Debat Përnime” ka folur rreth projekteve të tij për krijimin e zonave të gjelbra në këtë komunë.

Ai ka prezantuar katër projekte që sipas tij do të rrisin hapësirat e gjelbra në Gjilan.

Hyseni ka premtuar se kanë në projekt investimet në dy liqenet artificiale të Gjilanit, ku do të ndërtohen qendra rekreative e sportive.

“Do të krijojmë zona të gjelbra. Në projektin tonë i kemi dy projekte më të mëdha, te penda e Livoçit dhe në pendën e Përlepnicës që përfshin krijimin e dy qendrave rekreative- sportive. Para shumë vitesh mbi liqenin e Përlepnicës ka ekzistuar një park për lojëra tradicionale, që është unike e që i duhet Përlepnicës, që nuk e sheh gjithkund e që mund të shndërrohet në turne të përvitshëm në Gjilan. Projekti i tretë është krijimi i rripit të gjelbër e që ka për synim rritjen e hapësirës së gjelbër. Po ashtu do të kemi edhe “Green Pockets” në të gjithë qytetin”, ka thënë Hyseni.

Sipas Hysenit, këto hapësira do të kushtojnë 2.1 milionë euro.

Në emisionin “Debat Përnime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për komunën e Gjilanit.

I ftuar në debat është Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje. Kundërkandidati i tij, Lufti Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është i pranishëm në debat me arsyetimin se “debatin po e mban me qytetarë”.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.