Avdullah Hoti në Gjakovë | Foto: LDK

Hoti Premton Përfshirje të Grave në Vendimmarrje

Avdullah Hoti që sot u takua me gra të Gjakovës, tha se pjesë e rëndësishme e programit të tij qeverisës  është garantimi i të drejtave pronësore të grave dhe vajzave.

“Pjesa e parë e programit për gratë dhe vajzat ka të bëjë me fuqizimin e grave nëpërmes ligjeve. Do të punojmë që gratë të jenë të përfaqësuara jo vetëm në parlament, por edhe në të gjitha institucionet dhe fushat tjera. Do të përkushtohemi për regjistrimin e çdo prone të re në bashkëpronësi, të merret parasysh aplikimi i barazisë gjinore”, tha Hoti.

Ai shtoi se fuqizimi i grave do të bëhet në disa fusha të përditshmërisë , në ekonomi dhe shoqëri.

“Jam i bindur që ky koalicion do ta marrë shumicën dhe do të kemi mundësi që gratë maksimalisht të përfaqësohen në politikbërje dhe vendimmarrje. Në listën tonë kemi plot vajza dhe gra të nderuara. Unë jam i bindur që do të kemi përfaqësim të denjë në Kuvendin e Kosovës. Këto gra janë të të gjitha profileve, në mesin e tyre dhe doktoresha  të shkencave”,  u zotua Hoti.

Hoti dy ditë më parë premtoi pushim lehonie prej 12 muajsh me pagesë.

Hoti: Lehonia 12 Muaj me Pagesë

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, që është pjesë e koalicionit LDK-AKR  tha se ajo çfarë është munduar të bëjë për gratë në nivelin lokal përkon me atë që synohet në nivelin qendror.

“Një grua në vendimmarrje është shumë më e ndjeshme me problemet. Jam shumë e lumtur që kemi ndjekur një linjë të përbashkët në rrafshin demokratik, politik e qeverisës dhe besoj e shpresoj dhe jam e bindur se të gjitha bashkë do të dalim në anën tjetër fituese, duke e ndjerë se barazia në shoqëri vjen nga fakti duke kontribuar të gjithë, pa marrë parasysh gjininë, përkatësinë etnike, fetare apo shtresën shoqërore që i përket”, tha Kusari Lila.