Foto: LDK

Hoti: Njerëzit e LDK-së Nuk Janë Frikacakë

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR, Avdullah Hoti, gjatë një vizite në Vushtrri deklaroi se subjekti që e përfaqëson nuk përbëhet nga frikacakë por njerëz profesionalë.

“Dikush nga oponentët tanë politikë thotë se këta të LDK-së janë frikacakë. E vetmja gjë që i frikësohen njerëzit e LDK-së janë ligji dhe Zoti. Fitorja jonë do të jetë më e madhja që është arritur ndonjëherë në Kosovë. Ju ftoj të bisedoni me çdo qytetar, t’u tregojmë kush jemi ne, çfarë përfaqësojmë ne. Lista jonë është përbërë me njerëzit më profesionalë”, tha Hoti.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për një kthesë të madhe në zgjedhjet e 11 qershorit

“Ose të shkojmë në BE, të luftojmë krimin e organizuar, ose të vendosim të qëndrojmë kështu siç kemi qenë deri tash. Unë po e shoh që disponimi për ndryshim është shumë i madh, prandaj duhet të punojmë për ta bërë Kosovën ashtu siç e dëshirojnë qytetarët tanë. Jemi bërë të gjithë bashkë brezi i Republikës që ta çojmë vendin përpara, pasi që kemi bërë një plan të jashtëzakonshëm”, deklaroi kandidati për kryeministër.

Në anën tjetër Kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri, Hysni Gërguri, tha se Kosova meriton qeverisje të mirë, të pastër dhe me njerëz të pakorruptuar.

“Këtë e ka dëshmuar qeverisja e LDK-së, e cila edhe përkundër sfidave të ndryshme, ka pasur rritje të mëdha, pa asnjë aferë korruptive dhe ka punuar vetëm në interes të qytetarit të Kosovës. Meritat më të mëdha për këtë qeverisje i ka ministri aktual dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës, profesor Avdullah Hoti”, tha Gërguri.