Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së. Foto: Facebook

Hoti: Në Mandatin tim do të Hiqen Monopolet në Biznes

Avdullah Hoti,  kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të fokusohet në sektorin e ekonomisë.

Hoti gjatë  vizitës te kompania e prodhimit të lëngjeve “Fluidi”, në Gjilan u zotua se do t’i largojë monopolet e bizneseve që sipas tij po e ngufasin ekonominë.

“Këto masa ekonomike të cilat janë të detajizuara me gjithë legjislacionin përkatës do të dyfishojnë rritjen e bizneseve në Kosovë. Do t’i vizitoj të gjithë sektorët e bizneseve në Kosovë për t’ju treguar planet konkrete zhvillimore në të gjitha fushat të cilat do t’i ndërmarrim. T’i heqim të gjitha monopolet të cilat po e ngulfatin ekonominë e Kosovës”, tha Hoti.

Sipas Hotit një masë tjetër e qeverisë së re të tij do të jenë edhe “pushimet tatimore për biznese të caktuara”.

Për pushimet tatimore, një mospagesë tatimesh për një kohë nga biznese të caktuara, diskutimet filluan që në shkurt të vitit 2016, por ato nuk kanë nisur ende të zbatohen.

http://kallxo.com/ndikimi-ne-buxhet-vonoi-pushimet-tatimore/

Kryetari i Gjilanit, njëherësh nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë të martën në Gjilan se nga 12 qershori Kosova do ta ketë një qeveri të re, të qëndrueshme dhe stabile, që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

“Besojmë shumë se më 12 qershor, një ditë pas zgjedhjeve, jo vetëm Gjilani dhe Anamorava, por Kosovën në përgjithësi do ta gjejë me një qeverisje të qëndrueshme, të sigurt dhe stabile të drejtuar nga Avdullah Hoti”, ka thënë Haziri.

Fejzullah Mustafa, pronar i fabrikës për prodhimin e pijeve “Fluidi” ka thënë se fabrika e tij posedon sipërfaqe mbi 10 mijë metra katrorë dhe rreth 200 punëtorë.

Ai ka kërkuar që të vazhdohet me ndryshimin e politikave fiskale në favor të prodhimit vendor.