Foto: Kallxo.com

Hoti: Dielli do të Lind më Herët në Obiliq

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR, Avdullah Hoti, vizitoi Komunën e Obiliqit ku u zotua për angazhim në çështjen e mbrojtjes së mjedisit në këtë komunë në rast se i fiton zgjedhjet.

Gjatë vizitës së tij ku u takua me anëtarë të strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Obiliq, ai dëgjoi nga ta problemet kryesore me të cilat përballet kjo komunë.

Sylejman Qerkezi nga Lëvizja për Drejtësi, pjesë e koalicionit i shprehu Hotit shqetësimin mbi ndotjen e skajshme në Obiliq.

“Dua ta përsëris një llaf që e kam thanë në 2003 në Kuvend të Kosovës nëse në botë lind dielli atëherë kur lind gjithmonë, në Obiliq dielli lind në orën 10, eventualisht 10 e gjysmë gjithmonë për shkak të ndotjes së ajrit nga këto termocentrale”, tha Qerkezi.

Ndërkaq, kandidati për Kryeministër, Avdullah Hoti tha se nëse qeverinë do ta udhëheq ai pas zgjedhjeve të 11 qershorit, Obiliqit do ti zbuten problemet me ndotje të mjedisit.

“Nuk guxon në këtë komunë që dielli të lind në orën 10. E kam parasysh që janë çështje komplekse, marrin kohë për t’u zgjidhur por çështjeve duhet t’i japim udhë, njëherë e përgjithmonë”, tha Hoti.

Hoti që është edhe Ministër i Financave në largim, vlerësoi se deri më tani ka pasur neglizhencë për problemet e Obiliqit nga ata që ai i quan jo-kompetentë.

“Kemi humbur shumë kohë me njerëz neglizhentë dhe jo kompetentë për të ju dhënë udhë zgjidhjes së problemeve me energji dhe mbrojtjes së mjedisit. Unë e kam parasysh se këto probleme nuk zgjidhen shpejtë por duhet të marrin udhë, është dashtë të marrin udhë tash e 10 vite”, tha Hoti.

Ai gjithashtu u zotua se brenda këtij vitit do të bëhet komisonimi i projektit të Termocentralit ‘Kosova A’, rikonstruimi i ‘Kosova B’ dhe të përmbyllen procedurat për ndërtimin e ‘Kosova C’.

E për banorët e Obiliqit Hoti premtoi ngrohje me kogjenerim dhe punësim të qytetarëve të Obiliqit në projektet e energjisë.