Haradinaj: Për 90 Ditë do Udhëtojmë pa Viza

Kandidati për Kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka premtuar se brenda 3 muajve të qeverisjes së tij kosovarët do të marrin liberalizimin e vizave.

“Jemi vetëm një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Në takimet e shumta anekënd Kosovës e kam thënë se brenda 3 muajsh qeveria jonë do ta mundësojë liberalizimin e vizave. Edhe sot e përsëriti këtë zotim: me qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Europën”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Megjithatë për të marrë liberalizimin e vizave, politikës kosovare i është përsëritur disa herë se duhet plotësuar edhe kushtin e fundit, që është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, i cili është në sirtar të qeverisë që nga gushti i vitit 2015.

Haradinaj, mandatin e kaluar sa ishte pjesë e opozitës e ka kundërshtuar në vazhdimësi vijën e përcaktuar kufitare me Malin e Zi në marrëveshjen  me Malin e Zi të nënshkruar më 26 gusht 2015.

Edhe gjatë takimeve me qytetarë qëkur u caktua kandidat për kryeministër Haradinaj ka thënë se kufiri është në Çakorr.