Konferenca për anketën e GAP-it | Foto: KALLXO.com

GAP: Gjysma e të Anketuarve nuk do ta Ndërrojnë Partinë

Sipas një ankete të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP lidhur m faktorët që ndikojnë në votën për zgjedhjet lokale, mbi 50 për qind të të anketuarve janë deklaruar se më 22 tetor nuk do ta ndërrojnë partinë që e votuan në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit.

Berat Thaçi nga ky institut tha se vetëm 14 për qind të të anketuarve do ta ndryshojnë partinë që votuan në zgjedhjet e kaluara.

“Sa u përket preferencave mbi gjysma e qytetarëve do të votojnë partinë e njëjtë të cilën e kanë votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017. Ndërsa vetëm 14% prej tyre do ta ndërrojnë votën e tyre duke mos votuar për partinë për të cilën kanë votuar herën e fundit”, tha Thaçi

Megjithatë, 70 për qind të të anketuarve presin që zgjedhjet lokale të sjellin ndryshime pozitive, ndërsa 7 për qind janë të bindur se këto ndryshime do të ndodhin.

Blendi Hasaj nga GAP-i foli për ata që nuk janë përcaktuar për kë do të votojnë.

Hasaj tha se të papërcaktuar janë 13 për qind të të anketuarve, ndërsa sipas tij nga të papërcaktuarit nëse dalin në zgjedhje do të varet kahja që zgjedhjet do të marrin.

Përveç kësaj, ai bëri të ditur se shumica e votuesve të pavendosur përbëhet nga të rinjtë.

Një fakt tjetër që e tregoi Hasaj është se komunitetet etnike të Kosovës nuk pritet ta votojnë njëra-tjetrën në këto zgjedhje.

Pyetjes se a do ta votonit një kandidat të një etnie tjetër nga ajo e juaja, të anketuarit shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkalinj e turq i janë përgjigjur me jo.

Më të hapurit për të votuar kandidatë të etnive tjera, sipas anketës së GAP-it janë treguar egjiptianët.