Fabrikë të Kërpudhave edhe në Novobërdë?

Ramush Mehmeti, kandidati i Aleancës Kosova e Re u zotua se do të ndërtojë një fabrikë kërpudhash në vazhdën e projekteve kapitale për Komunën e Novobërdës.

Sipas Mehmetit, ky projekt është i gatshëm ndërkaq pritet të zbatohet nëse ky i fundit merr mandatin.

“Në fshatin Llabjan do ta hapi një fabrikë të kërpudhave ku do të punësohen 80 vetë, është marrë pëlqimi nga komuna dhe Ministria e Bujqësisë”, tha Mehmeti.

Në Debat Pernime për Komunën e Novobërdës morën pjesë tre nga pesë kandidatët për këtë komunë.

Avdullah Gashi nga  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të fokusohet në infrastrukturë dhe arsim.

“ Administrimi I mirë i resurve brenda komunës. Çështjet e infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit. Arsimi fillor dhe i mesëm, ndërtimin e çerdheve për parashkollorët.”, tha Gashi.

Në anën tjetër, kryetari aktual dhe kandidati i Listës Serbe për Novobërdën, Svetislav Ivanoviq u ankua për mungesën e buxhetit dhe lënien anash të komunës për shkak të statusit të saj.

“Novobërda në një kohë ka qenë komunë dhe në një tjetër nuk ka qenë. Pas vitit 2010 kanë ndryshuar të gjitha rrethanat për Novobërdën. Është e vështirë të përmbushen të gjitha kërkesat, në vendet që i kanë takuar komunës së Gjilanit ose Kamenicës nuk është investuar fare”, tha Ivanoviq.