Foto: Atdhe Mulla

Me Çfarë F’tyre do ta Kërkojë Votën PDK-AAK-NSMA?

Në #DebatPernime ku po diskutohet për Integritetin Publik dhe Përgjegjësinë Politike përfaqësuesit e PAN, pa PDK-në, treguan se me çfarë fytyre do ta kërkojnë votën e qytetareve m 11 qershor.

Besnik Tahiri i AAK-së tha se kërkojnë votën për t’i shërbyer vendit e atdheut, duke nisë siç tha ai “një rrugëtim të ri në shërbim të qytetarëve për t’i pambushur ëndrrat e tyre”.

“Kërkojmë votën me e kthy dinjitetin e me i kry punët e papërfunduara. Kërkojmë votën me kthy meritokracinë”, tha ai.

Ndërsa Valdete Bajrami e Nismës tha se për tri vite deputetët e partisë së saj kanë qëndruar konsistentë e besnikë ndaj qytetarëve, me ç’rast e meritojnë prapë votën e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës ka munguar edhe në debatin e nëntë me radhë dhe të fundit tematik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në debatin e sotëm Pernime të moderuar nga Jeta Xharra subjektet pjesëmarrëse diskutojnë për integritetin publik dhe përgjegjësinë politike.

PDK, si partia më e madhe në Kosovë në të gjitha zgjedhjet e pas shpalljes së pavarësisë, ka zgjedhur ta vë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjësinë e vet karshi rivalëve në garën zgjedhore dhe publikut.

Deri tani, PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet zgjedhore meqë ka kërkuar hapësirë më të madhe për koalicionin në të cilin merr pjesë me AAK-në dhe NISMA-n.

Kërkesa e PDK-së është vlerësuar e jashtëligjshme nga Komisioni i Pavarur për Media.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: