Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekë Berisha: Do ta rrënojmë objektin e Komunës për të ndërtuar parking

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Istogut, Bekë Berisha, ka treguar planet e tij për ndërtimin e parkingjeve e parqeve.

Sipas tij, në Istog ka hapësira të mjaftueshme për krijimin e parqeve, ndërsa për krijimin e parkingjeve ka thënë se do ta rrënojnë objektin e Komunës dhe do të krijojnë parking.

“Në të gjitha hapësirat publike do të ketë salla sportive, kënde lojërash, trotuare dhe ndriçim, parkingu është shumë problem i madh. Duhet edhe infrastrukturë rrugore por edhe parkingje. Ligji nuk është respektuar për parkingje. Ndoshta duhet me ndërtu një objekt të ri të Komunës e krejt hapësirën aty përfundi me e bë parking. Kemi hapësira boll”, ka thënë Berisha.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Istog: Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Ilir Ferati ka siguruar 41,09 për qind të votave, kurse Bekë Berisha nga AAK, ka marrë  26,49 për qind.