Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Vitia: Ndërtuesit deri tani kanë shfrytëzuar korrupsionin dhe akterët brenda komunës

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e LVV-së, Arben Vitia ka thënë se turri i ndërtimeve ka filluar të ndalet në vitin 2013, koha kur kjo parti mori kryeqytetin për herë të parë.

Ai në emisionin Debat Përnime potencoi se ndërtuesit shpesh deri tani kanë shfrytëzuar korrupsionin dhe akteret brenda komunës.

“Turri i ndërtueseve ka filluar të ndalet prej vitit 2013 në qeverisjen parë të LVV-së, turri negativ i ndërtimit për t’u ndalur nevojitet vullnet i çeliktë dhe zbatim i ligjit, pastaj me shembuj konkret do binden edhe ndërtuesit se nuk do mund të zhvillojnë aktivitete si deri tani, pa planifikime e shpesh duke shfrytëzuar edhe mekanizoma si korrupsioni dhe akterët brenda komunës”, ka thënë Vitia.

Lidhur me koeficientin e pronave dhe Planin Zhvilimor Komunal, Vitia tha se do bëhet për 4-8 muaj, ndërsa koeficienti sipas tij, duhet të jetë më i lartë në zonat ku ka mungesë të hapësirave publike.

“Komuna dhe kryetari japin kontura politika për zhvillimin e qytetit, unë në planin tim kam menduar që në pjesët ku ka mjaftueshëm hapësirë publike nuk kemi nevoje për koeficient të lartë, dhe në qendër nuk është dashur të jenë ashtu, ato jepen më shumë në zonat ku ka pak hapësira publike. Koeficiente do diskutohet edhe me arkitektë, ndërsa PZHK do aprovohet sa më shpjet që të  jetë e mundur, mund të jetë 4-8 muaj”, shtoi Vitia.

Sonte në “Debat Përnime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për kryetar të Prishtinës.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.