Albin Kurti në Drenas. Foto: VV

Albin Kurti: Lëvizja po Rritet në Krejt Kosovën

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti premtoi revitalizim të industrisë dhe ringjalljen e Feronikelit nëse ai merr besimin për ta formuar qeverinë e ardhshme të Kosovës pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Këtë premtim ai e bëri gjatë një vizite në komunën e Drenasit ku u ndal për të bashkëbiseduar me qytetarët e kësaj komune.

Kurti tha se Lëvizja vetëvendosje “po rritet në krejt Kosovën” dhe këtë, sipas tij, e vërteton entuziazmi që thotë se e gjeti në Drenas gjatë takimeve në qytet dhe fshatra.

“Drenasin ata që e kanë konsideruar bastion, e kanë shkatërruar. Drenasi dikur ka qenë i industrializuar, e sot falë privatizimit të korruptuar, është varfëruar”, tha Kurti duke iu referuar qeverisjes së PDK-së në nivel qendror dhe lokal.

“Politikat tona janë për rivitalizimin e industrisë, që do të thotë ringjallje e Ferronikelit i cili sot funksionon me punësim minimal e fitim maksimal”, shtoi ai.

“Politikat tona për zhvillimin rural do t’i ndihmojë fshatrat e Drenicës dhe krahinave të tjera që të zhvillojnë bujqësinë, por edhe që të kenë infrastrukturë, arsim e shëndetësi cilësore pranë vendbanimeve të tyre”, u shpreh Kurti.