Zyrtarët e Vetëvendosjes në takim me banorët e Siqevës - Foto: VV

Ahmeti: Nuk Japim Premtime që Nuk i Realizojmë

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, të prirë nga kryetari aktual dhe kandidati për t’u rizgjedhur në krye të Prishtinës, Shpend Ahmeti, janë takuar me banorë të Koliqit, para të cilëve thanë se nuk japin premtime që s’i realizojnë.

“Nuk japim premtime sa për votë. Ju tashmë e dini se si qeverisim ne. E dini që qeverisim bashkë me ju. E ruajtëm paranë publike, dhe e orientuam në nevojat e qytetarëve, lagjeve, fshatrave, Komunës”, ka thënë para të pranishmëve Shpend Ahmeti, i cili synon mandatin e dytë në krye të Prishtinës.

“Në mandatin e parë patëm 12 zotime, kurse tash 100. E këto 100 do t’i realizojmë edhe më lehtë, sepse në mandatin e radhës do ta kemi shumicën edhe në Kuvend Komunal”, u shpreh Ahmeti.

Ndërsa, nga banorët e Siqevës, zyrtarët e VV-së kërkuan të vazhdojnë të angazhohen në të njëjtën formë në të mirë të fshatit dhe Komunës së tyre.

Sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, 70 për qind e banorëve të këtij fshati kanë votuar për këtë subjekt politik në zgjedhjet e 11 qershorit.